Inceneratorët/ U dhanë miliona euro, por Shqipëria u mbyt nga plehrat

Inceneratori i Tiranës dhe i Fierit fituan 8.2 milionë euro për vitin 2020. Janë këto shifrat e deklaruara për bilancin e vitit 2020.

Por edhe pse kemi 3 inceneratorë – të Elbasanit, të Fierit dhe të Tiranës – edhe pse kompanitë koncesionare po fitojnë miliona për xhepat e tyre, Shqipëria rezultoi e përmbytur në plehra.

“Integrated Technology Services” që po zbaton projektet e inceneratorëve të Tiranës raportoi të ardhura prej 2.3 miliardë lekësh, sipas të dhënave në tatime, me rritje prej 33% me bazë vjetore. Edhe fitimet e kompanisë u trefishuan, në 723 milionë lekë, me një normë prej 31%.

Operatori tjetër “Integrated Technology Waste Treatment Fier “ sh.p.k që ka me koncesion inceneratorin e Fierit, raportoi të ardhura 1.1 miliardë lekë, me rritje prej rreth 9%. Fitimet e kompanisë u dyfishuan në 276 milionë lekë, me një normë (fitim bruto/të ardhura) prej 25%.

Inceneratori i Fierit dhe i Tiranës janë akoma në fazën e ndërtimit. Ai i Fierit ka lidhur kontratën në 30 nëntor 2016 me afat 6-vjeçar. Inceneratori i Tiranës e ka lidhur kontratën në 31 gusht 2017 me kohëzgjatje për 30 vjet.

Të dy së bashku këto PPP, duke përllogaritur edhe inceneratorin e Elbasanit, sipas raportit vjetor të 2020-s të përgatitur nga Ministria e Financave, kapin vlerën e investimit prej 23,82 miliardë lekësh.

Ndërkohë fitimi i gjeneruar nga inceneratorët e Tiranës dhe Fierit është pothuajse sa kostoja që Bashkia e Durrësit ka harxhuar për menaxhimin e mbetjeve urbane në tre vite përkatësisht 2017,2018 dhe 2019 dhe kjo shumë shkon në 9 mln euro.

Tabela e Bashkisë Durrës

Viti Fondi për menaxhimin e mbetjeve në lekë
2017 371,381,000
2018 363,021,000
2019 367,855,000

Por edhe pse nga taksapaguesit paguhen fatura të kripura për inceneratorët, situata me plehrat në Shqipëri vazhdon të jetë problematike edhe në zonat ku operojnë inceneratorët.

Në 28 tetor Partia Socialiste pranoi kërkesën e Partisë Demokratike për të ngritur një komision hetimor për inceneratorët, duke e kaluar vendimin në kuvend me 117 vota pro.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku u dërgoi kërkeës disa institucioneve shtetërore, vetë kompanive të inceneratorëve dhe bankave të nivelit të dytë ku mbajnë llogaritë bankare pronarët e kompanive dhe politikanët që sipas PD janë përfshirë në korrupsion në lidhje me lejet e dhëna.

Komisioini tha se bankat kanë përdorur standarde të dyfishta në përgjigjet e tyre. Tre kanë refuzuar të japin informacion, duke i cilësuar të dhënat si konfidenciale dhe të mbrojtura nga “sekreti bankar” . Por Luçiano Boçi, anëtar i komisionit, tha se CEO-t e bankave do të thirren në komision për të dëshmuar, pasi janë të detyruar ta japin informacionin, njësoj sikurse të ishin përpara një kërkese të prokurorisë, e cila është e parefuzueshme.

Raiffeissen Bank, Tirana Bank dhe Abi Bank kanë përdorur të njëjtin argument në përgjigjet e tyre, ndërsa Fi Bank dhe Pro Credit Bank kanë vënë në dispozicion vetëm disa nga të dhënat e tyre bankare.

Pjesa tjetër e bankave kanë kërkuar të dhëna shtesë për gjeneralitetet e personave dhe kompanive për të cilët kërkohen të dhënat bankare.

PD ka kërkuar të dhëna në polici, banka, tatime e disa institucione të tjera për zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, ish -ministrat Damian Gjiknuri e Lefter Koka, kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, deputetin e PS Alqi Bllako dhe pronarët e kompanive të inceneratorëve, Klodian Zoto, Mirel (Klodian Mërtiri) e Stela Gugallja.

Inceneratorët janë pjesë e raportit vjetor të Drejtorisë së Inspektimit Financiar Publik, në të cilin, dy prej tyre ai i Fierit dhe Elbasanit rezultojnë se janë gjendur në shkelje.

Sa i takon inceneratorit të Fierit, raporti vlerëson se Ministria e Mjedisit e asaj kohe që ishte dhe autoriteti kontraktor nuk ka përllogaritur kosto shpronësimi të truallit privat. “Këto kosto nuk dokumentohet të jenë pjesë e analizës ekonomike dhe financiare të studimit të fizibilitetit” thuhet në raport.

I njëjti raport vlerëson se nga ana e ish-Ministrisë së Mjedisit, e nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor (për periudhat respektive), dokumentohet që nga ana e Drejtorisë së Financës/Ministria e Mjedisit dhe Drejtoria e Menaxhimit Financiar dhe Buxhetit/MIE, është paguar paradhënie TVSH-ja, për periudhën Prill 2017 -Dhjetor 2017, për 9 këste mujore/periudha, në vlerën 94 096 278 lekë, pagesë kjo në kundërshtim me grafikun/skedulin e kësteve për likuidimet sipas Aneksit V të kontratës koncesionare, si dhe në kundërshtim me kërkesat e Ligjit nr.92/2014 “Për Tatimin mbi vlerën e shtuar”.

Përsa i përket inceneratorit të Elbasanit, Drejtoria e Inspektimit Financiar Publik ka konstatuar se kemi të bëjmë me një draft-Kontratë që nuk ka marrë formën e një akti juridik, pra nuk është kthyer në kontratë përfundimtare (me ekstremitete nr.11026/7-prot, datë 16.12.2014), në moszbatim të Ligjit nr.125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat”, neni 27 “Përmbajtja e kontratës”. “Draft-Kontrata për Inceneratorin e Elbasanit, është nënshkruar me vlerën financiare të shprehur në valutë/ në monedhën Euro dhe jo në lekë, duke sjellë ekspozim në këtë mënyrë, të risqeve nga kursi i këmbimit, në kundërshtim me kërkesat e Udhëzimit nr. nr.2, datë 06.2.2012 “Për procedurat standarde të zbatimit të buxhetit” pika 148, ku specifikohet se detyrimet merren përsipër në monedhën shqiptare” vlerëson raporti.

Për të krijuar një panoramë të plotë të situatës me inceneratorët, Zoom.al kontaktoi ekspertin e ekonomisë Zotin Zef Preci, i cili nuk ngurroi të jepte ekspertizën e tij në lidhje me këtë çështje.

Sipas tij, menaxhimi i mbetjeve ka qënë një ndër çështjet shqetësuese të marrëdhënieve të vendit tonë me Bashkimin Europian të paktën që prej vitit 2010. Në raportet vjetore të progresit të vendit tonë, siç vë në dukje raporti i KLSH i para pesë viteve, renditen disa probleme kryesore në lidhje me ushtrimin e shërbimit të menaxhimit të mbetjeve urbaneShtrirjen e pjesshme të mbulimit me shërbim

Grumbullimin dhe largimin e pamjaftueshëm të mbetjeve

Sasinë e kufizuar që depozitohet dhe trajtohet në landfill-e

Prania e një numri të madh të vend depozitimeve (të lejuara dhe të palejuara), të cilat janë jashtë standarteve sanitare dhe inxhinerike

Numrin e kufizuar dhe cilësinë jo të mirë të pajisjeve për grumbullimin dhe transportin e mbetjeve

Mungesën e ndarjes së mbetjeve në burim dhe normën e vogël të riciklimit

Mungesën e infrastrukturës për menaxhimin e integruar të mbetjeve

Ndryshimet e papritura në kursin e politikave që udhëheqin zhvillimin e infrastrukturës për përpunimin përfundimtar të mbetjeve

Zbatimi i dobët i ligjit dhe në përgjithësi i akteve nënligjore

Ndërveprim dhe kordinim i dobët i strukturave të qeverisë qendrore me qeverinë vendore dhe sektorë të tjerë të interesuar.

Sipas Preçit, opsioni i djegies, si për energji ashtu edhe për eliminimin e plotë të mbetjeve më të drejtë shihet si rruga e fundit, gjë që në praktikë duket se nuk po respektohet dhe se qeveria qendrore po bën gjithçka të shtyjë bashkitë që fondet e veta dhe ato të buxhetit të shtetit të drejtohen me përparësi për këtë qëllim incenerimin (djegien termike).

Zef Preci thotë se “shihet qartë se në harkun e pesë-gjashtë viteve të fundit kemi një ndryshim kursi të qeverisë në favor të inceneratorëve (djegësve termikë), në një kohë që edhe bashkitë që ishin jashtë konglomeratit të biznesit që kontrollon pronësinë e kompanive që zotërojnë inceneratorët gradualisht u detyruan nga qeveria që të bëheshin pjesë e furnizimit dhe pagesës së garantuar buxhetore ndaj këtyre kompanive”.

“Gjithsesi evoluimi i politikave publike në lidhje me menaxhimin e mbetjeve urbane, përzgjedhja e një metode asgjësimi që bie ndesh me procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian për shkak të ndotjes ambientale, rrezikut për shëndetin e njerëzve dhe kostos së lartë për njësi, me lejojnë të krijojë bindjen se kuadri ligjor përkatës duhet konsideruar si një ndër “ligjet e porositura” klienteliste të qeverisë dhe favorizuese për lobe biznesi që gëzojnë mbështetje politike. Edhe trajtimi i këtyre kontratave si kontrata të dyshuara për ndërmarrjen e tyre tek kushtet e konfliktit te interesave dhe për përfitime korruptive meriton vëmendjen e organeve ligj-zbatuese të vendit si SPAK, Prokuroria, Kuvendi,etj”, tha Zef Preci për Zoom.al. SPAK po e heton këtë çështje prej 1 viti, pas padisë së bërë nga Partia Demokratike, por deri tani nuk ka çuar askënd në bankën e të akuzuarve.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.