Humbi jetën minatori, ndalohet inxhinieri dhe përgjegjësi teknik i galerisë

Është gjetur pas 5 ditësh kërkime minatori 61-vjeçar Muharrem Plaku në thellësinë e galerisë në Zonën e Parë të minierës së Bulqizës.

Trupi i tij u gjet në mesnatën e mbrëmshme nga kolegët e tij të cilët kanë kërkuar pa ndërprerje. Është dashur kohë dhe shumë punë për largimin e mbi 300 m kub material për të shkuar deri në thellësinë 500 metra ku është gjetur trupi i pa jetë i 61 vjeçarit. Minatori ishte zënë poshtë nga një sasi e madhe minerali, e shembur në hapësirën e galerisë.

Ngjarja ndodhi të mërkurën e 15 shtatorit në galerinë e kompanisë “Kaduretex Sh.p.k”, që operon në zonën e parë krom-mbajtëse të Bulqizës, ku 60-vjeçari mbeti i bllokuar në minierë pas shembjes së një masivi shkëmbor.

Prej asaj dite dhe në vazhdim, minatorë të galerisë ku ndodhi aksidenti, dhjetra të tjerë nga galeritë fqinje dhe ekipet e shpëtimit të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat në Miniera, AKSEM, punuan për të gjetur teknikun.

Kjo është hera e parë që në galeritë e Bulqizës, procesi për nxjerrjen e minatorit që humbi jetën zgjat kaq gjatë në kohë. Policia e Bulqizës ka ndaluar inxhinierin e Galerisë dhe përgjegjësin e punimeve, ndërkohë vijojnë hetimet për të zbardhur shkakun e shembjes së galerisë.

Problematike mbetet siguria në punë dhe mungesa e kontrolleve nga institucionet përgjegjëse, pasi janë me dhjetëra galeri që nuk plotësojnë standartet e sigurisë në punë. Në shumicën e rasteve aksidentet kanë ndodhur në galeri të pa sigurta, apo të bllokuara, por që ende lejohen të punojnë, duke mbyllur sytë si nga Ministria e Energjitikës, ajo e Punës dhe e Rendit.

Mungesa e Sendikatave ka bërë që të lulzojë puna e “zezë” dhe të mbyllen zërat e minatorëve. “Mafia e kromit” po shfrytëzon ende barbarisht këto galeri, shpesh duke shfrytëzuar zona ku nuk ka siguri, apo duke shkatërruar kolonat prej kromi që janë lënë për të siguruar e hapësirën e nënkateve të galerive.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.