Hetimet për vrasjen e Rashës/Prokuroria sekuestron bisedat e efektivit të policisë, dalin detajet
Prokuroria ka sekuestruar të gjitha bisedat e raportuara në sallën operative nga efektivët e policisë lidhur me ngjarjen e rëndë, ku mbeti i vrarë 25-vjeçari Klodian Rasha.
Të gjitha bisedat janë marrë nga sistemi ku regjistrohen. Në dosjen hetimore të prokurorisë cilësohet se si dy efektivët kanë raportuar dhe kanë kërkuar përforcime në rrugën “Dritan Hoxha”, aty ku dhe u bë ndjekja e Klodian Rashës.
“Policia, për verifikim”, mësohet të ketë thënë oficeri që përdori armën. Sipas të dhënave të siguruara nga prokuroria, oficeri i ka kërkuar Rashës të ndalojë rreth orës 01 e 10 minuta pas mesnate e, në momentin që ai është larguar me vrap, e ka ndjekur për disa metra.
Efektivi i ‘Shqiponjave” ka thënë për prokurorinë se, gjatë ndjekjes, në një moment i dyshuari është kthyer dhe i ka thënë ‘mos u afro se do të të qëllo’j. Kaq ka mjaftuar që efektivi të bërtasë “Armë”, në mënyrë që të ishte një formë injalizuese për oficerin tjetër, i cili menjëherë ka bërë raportimin në sallën operative.
Gjatë ndjekjes, ndonëse kanë tentuar t’i dalin para, 25-vjeçari ka bërë të njëjtën gjë edhe me efektivin tjetër, duke e kërcënuar se do ta qëllonte.
Një tjetër raportim në radio është dëgjuar gjatë kohës kur i riu ka qenë duke u larguar në rrugicat që të nxjerrin tek ish-Drejtoria e Përgjithshme e Doganave se “i riu mbante armë”.
Oficeri që përdori armën gjatë ndjekjes u rrëzua dhe qëlloi në drejtim të të riut. Njëri nga plumbat nuk e preku, ndërsa plumbi i dytë i preku zemrën.
Efektivi përballet me akuzat e kapërcimit të kushteve të mbrojtjes dhe përdorimit të armëve, ndërsa prokuroria ka kërkuar arrest me burg për të.
Sorry, the comment form is closed at this time.