Gjobat nuk i ulën aksidentet, eksperti: T’u hiqet patenta përgjithmonë

Ndryshimet në Kodin Rrugor që hyn në fuqi në maj të këtij viti, nuk po rezultojnë efikase. Numri i aksidenteve nga korriku në gusht është më i lartë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për ekspertin e sigurisë rrugore, Islam Qibini këto ndryshime të kodit, nuk janë të mjaftueshme. Ai thotë se duhet të ketë ashpërsim të sanksioneve duke filluar nga bllokimi i mjetit e deri tek heqja përfundimtare e patentës.

“Ndryshimi i dispozitave të Kodit Rrugor ishte një domosdoshmëri e cila ndikoi në parandalimin e aksidenteve rrugore, por kjo nuk është e mjaftueshme, duke parë statistikat e muajve korrik-gusht. Duhet të kemi një ndryshim të masave ndëshkuese dhe shtrënguese. Të sekuestrohet mjeti i drejtuesit të automjetit. Duhet të ketë edhe masa për sekuestrimin e patentës, për heqjen e patentës përgjithmonë, ose bllokim mjeti mbi 3-4 vite”, tha ai.

Për ekspertin, parandalimi i aksidenteve nuk mund të bëhet vetëm nga Policia Rrugore. Rol të veçantë duhet të ketë edhe Ministria e Arsimit dhe drejtoria e Përgjithshme e Transporteve.

“Ministria e Arsimit për edukimin e të rinjve, mbi parimet e sigurisë rrugore, mbi normat e përgjithshme për drejtimin e mjetit. Kjo duhet të jetë me programe të posaçme nëpër shkolla. Gjithashtu, drejtoria e Përgjithshme e Transporteve, duhet të rrisë afatin kohor për marrjen e lejes së drejtimit”, tha ai.

Prej 3 muajsh është rritur numri i patrullave rrugore në akset kryesore të vendit. Por duket se ata kanë qenë efikase vetëm për shtuar të ardhurat në arkën e shtetit. Shkaku kryesoi i aksidenteve në vend, është parakalimi i gabuar. /Abcnews/

Share With:
Tags
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.