FSHF zyrtarizon duelet e qershorit për Shqipërinë U17

Muaji qershor pritet të jetë totalisht muaji i Kombëtares shqiptare.

Përveç ekipeve Kombëtare A, U-21 dhe U-19, që tashmë i kanë të konfirmuara ndeshjet e tyre, edhe Kombëtarja U-17 që drejtohet nga trajneri Ervin Bulku ka konfirmuar dy miqësore ndaj bashkëmoshatarëve të Kosovës.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se dy federatat kanë rënë dakord për zhvillimin e këtyre dy ndeshjeve në datat 21 dhe 23 qershor. Të dyja këto miqësore do të zhvillohen në stadiumin “Kukës Arena” në Kukës, me takimet që kanë orë të njëjtë nisjeje, 17:30.

Këto janë dy ndeshje mjaft të vlefshme për trajnerin Ervin Bulku dhe ekipin e 17-vjeçarëve, të cilët që nga fillimi i vitit kanë zhvilluar disa seleksionime e grumbullime, me qëllim përzgjedhjen e elementëve më të mirë që do të përfaqësojnë Shqipërinë në Eliminatoret e Kampionatit Europian 2022/2023 ku shorti e ka vendosur Kombëtaren U-17 në Grupin 7 së bashku me Suedinë, Kroacinë dhe Uellsin.

Edhe këto dy miqësore do t’i shërbejnë stafit kuqezi për të parë në aksion lojtarët më të mirë, të cilët mund t’i vlejnë ekipit për në ndeshjet zyrtare të muajit shtator. 

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.