Flet motra e Ornelës: I vrau Florindi

Ngjarja e rëndë që tronditi opinionin para dy ditësh, jo vetëm në Nju Jork (SHBA), por edhe në Shqipëri, ka ende mistere.

Bëhet fjalë për aktorin shqiptar, Florind Belliu dhe bashkëshortjen e tij, Ornela, që u hodhën nga kati i 6-të i pallatit ku jetonin.

E gjithë skena tragjike ndodhi në sy të fëmijëve të tyre të mitur.

Për ngjarjen ka reaguar sot motra e Ornelës.

Në një postim në rrjetet sociale, Migena fajëson Florindin për vrasjen e të motrës, që shënoi një tragjedi në familjen shqiptare në SHBA.

Ajo shkruan se Florindi vuante nga çrregullime të shëndetit mendor dhe ishte shtruar në një klinikë psikiatrike në Nju Jork.

Sipas Migenës, e motra ishte një njeri i dhimbsur dhe se, pavarësisht gjithçkaje, i kishte qëndruar pranë të shoqit, i dërgonte ushqim dhe kujdesej për të, pa e ditur që një ditë do t’i merrte jetën asaj dhe fëmijës që ajo priste.

Postimi i plotë

E kam shumë të vështirë të flas në këto momente, pasi unë, motra e Ornelës dhe e gjithë familja jonë jemi tejet të pikëlluar nga humbja e parakohshme e motrës sonë të dashur, por nuk mund të rri pa i shkruar dy fjalë për motrën time, për engjëllin tonë, që e donte aq shumë jetën, që rrezatonte mirësi dhe e donte i gjithë komuniteti në zonën ku jetonte në Nju Jork.

Vë re me keqardhje që të gjithë portalet janë mbushur me fjalë të ndjera për humbjen e jetës së Florind Belliut, personit që vrau jo vetëm motrën tonë, por edhe fëmijën që do të lindte pas disa muajsh dhe asnjë fjalë keqardhjeje nuk kanë denjuar të shkruajnë për motrën tonë, e cila punonte dhe rriste pothuajse e vetme dy fëmijë të mitur, pasi ai që i mori jetën në mënyrën më makabre kishte kohë, vite që vuante nga çrregullime mendore, kishte kohë që ia kishte bërë jetën të vështirë motrës sonë. Por Ornela ishte aq e mirë dhe e dhimbsur, saqë shkonte e vizitonte çdo ditë në klinikën psikiatrike ku ishte i izoluar ai që do t’i merrte jetën në mënyrën më kriminale… I dërgonte ushqim siç dëshironte Flori, saqë punonjësit e klinikës e kishin pagëzuar Ornelën ‘engjëll’, pasi ishte e vetmja që shkonte çdo ditë në klinikë…Mjekët e klinikës në Nju Jork e kishin paralajmëruar Ornelën që bashkëshorti i saj kishte ende probleme…

Si ndodhi ngjarja sipas medies amerikane?

Ngjarja e rëndë ndodhi dy netë më parë në New York, teksa festonin ditëlindjen e bashkëshortes së Florindi, Ornela, e cila mbushte 28 vjeçe. Fillimisht debati mësohet se ka nisur mes të resë dhe nënës së 35-vjeçarit, por me ndërhyrjen e aktorit, situata është përkeqësuar. Më pas, Belliu e ka shtyrë të shoqen duke e hedhur nga ballkoni i apartamentit që ndodhej në katin e gjashtë në ‘The Bronx’ të New Yorkut. Kur ka parë pasojat e veprimit të tij, 35-vjeçari ka vendosur të hidhej pas të shoqes. Të dy janë gjetur të vdekur dhe pamjet rrëqethëse ku nëna e aktorit shihet teksa qan në vendngjarje kanë bërë xhiron e mediave ndërkombëtare. Ngjarja është ende nën hetim.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.