COVID-19/ Ku do t’i kalojmë festat e fundvitit? Këshilla e shefes së Epidemiologjisë
Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini, tha se ky vit duhet të konceptohet si një vit i festimit brenda familjes. “Këtë fundvit duhet të festojmë ngushtë, në familjet tona” ka qenë këshilla që ka dhënë shefja e Epidemiologjisë u dha qytetarëve, gjatë një prononcim për televizionin “ABC News”. Duke theksuar se deri në ardhjen e këtyre festave kemi ende shumë kohë përpara, Tomini tha se ky vit duhet të konceptohet si një vit i festimit brenda familjes së vogël. “Jo të shkojmë ne te festa, por festa të vijë tek ne. Duhet të festojmë ngushtë këtë vit”, shtoi ajo.
Ndërsa, e pyetur në lidhje me denoncimin e bërë nga Partia Demokratike lidhur me shifrat e viktimave nga COVID-19 në Shkodër, Eugena Tomini tha se nuk është mirë që t’i jepet situatës ngjyrë politike.
“Unë si specialiste e sëmundjeve infektive në shëndetin publik nuk do t’i jepja ngjyra politike situatës. Personalisht, jo vetëm në emër të bluzës së bardhë që unë mbaj, çdo mjek e ka detyrimin që të përballet edhe me vdekjen. Nuk do ta politizoja këtë lloj elementi. Është tepër kritike edhe për familjarët e atyre që kanë humbur jetën. Mosdeklarimi do peshonte mes familjarëve të atyre që kanë vdekur dhe tek bluzat e bardha.
Sa i përket imunitetit të masës, shefja e Epidemiologjisë në ISHP tha jemi ende shumë larg këtij stadi: “Realisht, situata e transmetimit të Covid, ne jemi në një nivel stacionar. Niveli ka qenë edhe më i lartë, para 6 apo 8 javëve. Aktualisht niveli i përhapjes është 1.09. 1.1 për qind. Pra, nivel stacionar. Është e vështirë të themi nëse e kemi arritur një imunitet të tufës. Jemi akoma larg. Masat e kombinuara, me shpresën e një vaksinë… të gjitha bashkë mund të sjellin imunizimin”.
Sorry, the comment form is closed at this time.