Epidemiologët nisin testet e shpejta: Tirana, “vatër e COVID-19. Kjo është zona më problematike
Testimet e shpejta për koronavirusin mbërritën, por nuk do të ketë aplikime në masë në popullatë. Ky lloj testimi do të përdoret fillimisht në Tiranë, në shkolla, kopshte, në stafet mjekësore, aty ku epidemiologët do të kenë sinjale për shpërthime dhe vatra të virusit.
“Deri në datën 20 dhjetor, do të ecim duke bërë përzgjedhjen klinike të të sëmurëve mbi bazën e patologjisë, duke iu përmbajtur një protokolli për të kryer testimin në 6 ditët e para të shenjave”, shprehet epidemiologu Rexhep Muja.
Pas datës 20 dhjetor, testet e shpejta të antigenit do të kryhen pranë qendrave shëndetësore si dhe nga spitalet rajonale.
“Po planifikojmë të trajnojmë personelin shëndetësor që dhe ata të kryejnë testet e shpejta.”
Testet e shpejta të antigenit kryhen brenda 5 ditëve të para të sëmundjes dhe kur personi ka shenja të dallueshme dhe ngarkesë të lartë virale. Rezultati i kësaj analize del pas 30 minutash. Krahas këtij testimi në popullatë, do të vijojë analiza e PCR, siç njihet ndryshe edhe tamponi. Epidemiologët thonë se situata po përkeqësohet nga moszbatimi i rregullave nga qytetarët, veçanërisht në Tiranë. Zonat më neglizhente ndaj masave janë vatra të koronavirusit.
“Vazhdojnë të jenë vatra të nxehta, Astiri, Lapraka, Kamza, Kombinati, ish-Blloku dhe Fresku. Javët e fundit zona e Astirit është më problematikja, në një nga rrugët e saj “Teodor Keko”, çdo ditë dalin 10-12 raste të reja me koronavirus, të moshave 25 deri 55 vjeç. Kjo vjen pasi nuk respektojnë masat, qëndrojnë grupe në kafe, në rrugë dhe nuk respektojnë masat mbrojtëse”.
Tirana është vatra kryesore e Covid-it, aktualisht me 10 mijë raste aktive dhe me numrin më të lartë të humbjeve të jetës.
Sorry, the comment form is closed at this time.