Dyfishimi i rasteve me Covid, ISHP: S’është shqetësuese

Dyfishimi i rasteve aktive me Covid-19 gjatë javës së fundit, për Institutin e Shëndetit Publik nuk është shqetësuese. Madje sipas ekspertëve kjo ishte një gjë e pritshme pas grumbullimeve masive që u bënë edhe për finalen e ndeshjes së Ligës së Konferencës.

“Është një situatë e pritshme që ne kishim paralajmëruar që me ardhjen e stinës së Verës, qoftë me shtimin e kontakteve në popullatë, qoftë me shtimin e grumbullimevepër aktivitete të ndryshme, pritej një rritje e lehtë e rasteve.  Me avancimin e Verës dhe sezonit turistik, kontaktet në popullatë pritet të shtohen dhe të kemi rritje të lehtë të numrit të rasteve”.

Epidemiologu Artan Simaku thotë se në vend qarkullon nënvarianti i Omicron.

“Varianti mbizotërues mbetet BA2 tashmë prej disa javësh e muajsh. Shenjat vahzdojnë  të jenë të lehta dhe nuk janë vërejtur raste të rënda dhe fatalitete”.

Ekspertët bëjnë apel për vaksinim sidomos të të rinjve të cilët kanë një mbulesë vaksinale të ulët.

“Ky apel është për grupmoshat më të reja të popullatës, 16-40 vjeç. Mbulesa vaksinale e kësaj grupmoshe është afërsisht 15%. Rëndësia e vaksinimit është provuar tashmë për situatën që jemi nga e cila nuk kemi raste të rëna apo fatalitete”.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë gjatë 7 ditëve të fundit rastet aktive janë rritur me 2.5 herë dhe se nga testimet ditore, rezulton se një në 4 të testuar është i infektuar me Covid.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.