Doracaj dhe Ademi, apel qytetarëve: Aplikoni për rinovimin e kartës ID

Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, dhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, janë bërë bashkë dhe nga Shkodra u kanë bërë thirrje qytetarëve për rinovimin e dokumenteve të identitetit.

Drejtori i përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, theksoi se zyrat e gjendjes civile do jenë të hapura edhe të shtunën: “Dua të bëj me dije se do jemi të hapur edhe ditëve të shtuna, edhe me orare të zgjatura, do të jemi gjithashtu edhe për të respektuar atë çka ju thatë pak më parë, edhe në kushtet e pandemisë që jemi, edhe distancën fizike dhe, në qoftë se do të duhet, do të hapim dhe zyra të reja aplikimi, gjithmonë, në qoftë se do të ketë fluks”.

Siç e shikoni, – shtoi ai, – fluksi është shumë i ulët, ndërkohë që kapacitetet pritëse, të ofruara nga Bashkia Shkodër, edhe prodhuese nga kompania ‘Aleat’, janë disa herë më të mëdha. Edhe njëherë, ju lutem, vetëm pak sekonda, sepse karta ID nuk është thjesht dokumenti me anë të të cilit do të shprehni bindjen tuaj në 25 prill, por është edhe çelësi që hap çdo derë për të siguruar shërbime në institucione publike dhe private. Janë rreth 800 mijë shtetas, të cilët posedojnë një dokument të skaduar për të cilët do të bëjmë gjithçka që ata të pajisen me dokumentet e reja, dokumentin e vlefshëm biometrik”, theksoi Doracaj.

Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, u shpreh se rinovimi i mjeteve të identifikimi është proces shumë i rëndësishëm: “Mesazhi i sotëm, bashkë me Doracajn, është pikërisht ky, për të siguruar që normalisht në ditën e votimeve të mos kemi asnjë shqetësim që lidhet me pamundësinë për të votuar, për shkak të kartës së identitetit. Të drejtohemi menjëherë pranë zyrave të gjendjes civile, aty ku shërbehet për pajisjen me kartë identiteti, për të bërë të mundur të pajisemi në kohë… Për këtë zyrat tona janë të hapura gjatë të gjithë ditës edhe ditën e shtunë”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.