Divjaka çel sezonin turistik me këngë e gatime tradicionale

Bashkia e Divjakës çeli këtë fundjavë sezonin turistik 2022, ku qytetarë të shumtë mbushën Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Sezoni turistik u çel me një koncert ku këngëtarë, artistë e grupe kërcimi nën drejtimin e Elite Dance Festival si dhe grupet e shkollave të Bashkisë Divjakë ndezën atmosferën për të pranishmit dhe dhuruan emocione me talentet e tyre.

Gjithashtu në Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta u organizua dhe panairi i kulinarisë me prodhimet e gatimet e nxënësve të shkollave dhe lokaleve të zonës ku qytetarët shijuan ushqimet tradicionale të zonës.

Të pranishëm në çeljen e sezonit turistik ishin dhe drejtues politik dhe kryetarë të bashkive të qarkut Fier si dhe zv.Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Vilma Bello dhe ministrja e Sipërmarrjes, Edona Bilali, deputeti i PS-së, Erion Braçe etj.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është shndërruar në një destinacion të preferuar për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës për qindra qytetarë dhe turistë të huaj që e frekuentojnë çdo javë.

Ky atraksion i mrekullueshëm ofron gjithçka i nevojitet një pushuesi duke përfshirë edhe plazhin me rërën e veçantë dhe me vlerat e mëdha kurative. Natyra e bukur, ajri i pastër e bëjnë vendin ideal për të pushuar.

Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikanët kaçurrel apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshet e detit por edhe disa lloje të rralla pishash.

Në parkun kombëtar Divjakë Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.