Supervjedhja, zbardhen SMS-të e dy grabitësve

Gjykata e Sarandës, në seancën e drejtuar nga Fatmir Ndreu, nuk ka pranuar para pak ditësh kërkesën e 41-vjeçarit Edmond Duzha për të lënë qelitë e paraburgimit.

Ai ndodhet në qeli prej 29 dhjetorit si i dyshuar për vjedhjen në bashkëpunim të rreth 200 mijë eurove në një supermarket, në Sarandë në 11 dhjetor 2021.

Duzha, banues në Laç, një ish i dënuar në Itali për “vjedhje” dhe “dhunë e sulm ndaj forcave të policisë”, akuzohet se bashkëpunoi në vjedhje me Bekdash Cukallën, një 38-vjeçar, banues në Sarandë, pronar i firmës së mirëmbajtjes së kamerave të sigurisë së supermarketit.

Sipas dosjes së prokurorisë, hetimet e së cilës po kryhen nga prokurori Ilir Hoxha, në vjedhje morën pjesë 3 persona, të cilët janë filmuar nga disa kamera sigurie në subjekt, por edhe në qytet.

Kohët e fundit në dosjen e Prokurorisë janë shtuar edhe disa prova të reja.

Konkretisht nga këqyrja e telefonit të markës “Iphone -11 ProMax”, evidentohet se në aplikacionin “Whatsapp”, Edmond Duzha komunikon me abonenten “I”, me numër “06926***”.

Me të, më datë 10.12.2021, ora 11.24 PM, pra disa orë para vjedhjes, ka komunikimin me sms:
– Edmondi: Tu ra shi knej. Ftoht. Mir krejt.
– I: A keq koha?
– Edmondi: Po.
– I: Ishalla pushon shiu.
– Edmondi: Ma mir të jet shi.
– I: Po mir, ishalla bjen.
– Edmondi: Hahaha.
– I: Hahaha.

Më datë 11.12.2021, ora 05.25 AM, disa ore pas vjedhjes, zhvillon komunikimin me sms:
– Edmondi: Mir jam. Po pres sa të hapen lëvizjet e po nisem.

Një tjetër provë e shtuar është ajo e filmimeve të kamerave të sigurisë së Komisariatit të Sarandës.

Konkretisht, në vijim të veprimeve hetimore për këtë procedim penal, nëpërmjet aktit procedural “vendim për lejimin dhe autorizimin e përgjimit të fshehtë në vende private dhe publike”, Prokurori ka autorizuar kryerjen e përgjimit ambiental ndërmjet shtetasve Edmond Duzha dhe Bekdash Cukalla brenda ambienteve të Policisë së Sarandës.

“Në momentin e parë shtetasi Edmond Duzha shikon përreth ambientit, troket tavolinën me gisht për t’i tërhequr vëmendjen shtetasit Bekdash Cukalla, e shikon në sy dhe i bën me shenjë duke vënë gishtin në buzë.

Shtetasi Bekdash Cukalla kthen shikimin nga Edmondi, por nuk komunikojnë”, thuhet në raportin e përgjimit.

Gjithashtu, “në momentin e parë shtetasi Edmond Duzha lëviz kokën në drejtimin poshtë-lart, shikon përreth ambientin, bën me shenjë duke vënë gishtin në buzë, duart i mban të bashkuara para fytyrës dhe me pëllëmbën e dorës së majtë godet dorën e djathtë, duke parë në sy shtetasin Bekdash Cukalla, i cili nuk reagon”.

Këto prova i janë shtuar një sërë provave të tjera, kryesisht filmime të kamerave të sigurisë, me të cilat pritet që Prokuroria të mbrojë akuzën e saj.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.