‘Çudira tenderësh’/ FSHZH skualifikon ofertën më të ulët

Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2021, dëmi financiar në buxhetin e shtetit për shkak të shkeljeve dhe parregullsive, vlerësohet 616 milionë euro.

Një pjesë e mirë e kësaj shume, lidhet me shpërdorimin ose parregullsitë në prokurimet publike.

Në fakt, tenderët kanë qenë gjithmonë një “njollë e zezë” në biografinë e administratës shqiptare dhe procedura e tyre, lidhet jo rrallë me detaje të dyshimta.

Por nuk përjashtohet që në këtë vend të ndodhin prokurime publike të rregullta dhe konform ligjit.

Një shembull interesant është tenderi për rikonstruksionin e dy rrugëve në Spitallë të Durrësit, njëra prej të cilave quhet “Miqësia”.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka zhvilluar “minikonkursin” me fondin limit 84 milionë lekë të reja pa TVSH. 24 kompani, disa prej tyre ndër më të njohurat në vend kanë dhënë ofertat e tyre që variojnë nga 99 milionë lekë, pra mbi fondin limit, deri në 67 milionë lekë.

Pa gjejeni pak kush fitoi?

Një kompani që ka ofruar 83.6 milionë lekë, pra që ka garuar me rreth 99% të fondit limit të përcaktuar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Çudia nuk përfundon këtu.

FSHZH ka skualifikuar disa oferta, mes tyre edhe ato që kanë qenë mbi fondin limit. E kuptueshme.

Por, njëkohësisht është skualifikuar edhe një ofertë 67 milionë lekë. Përse? Sepse komisioni ka vlerësuar (i është mbushur mendja) se oferta është dukshëm më e ulët se fondi limit prej 84 milionë lekësh. Dhe sipas vlerësuesve kjo nuk është normale dhe kompania meriton skualifikim nga gara.

Sipas njoftimit publik, të publikuar edhe në Buletinin e APP, bashkimi i kompanive BOE “Alb Tiefbau”, etj. është skualifikuar sepse nuk e ka argumentuar me shkrim, përse ka konkurruar me një shumë të ulët.

Në fakt, në Shqipëri është bërë zakon që firmat i fitojnë tenderat me 99% të vlerës fillestare. Ndaj, ato kompani që garojnë me rreth 80% të fondit limit, as merren parasysh për t’u kualifikuar. Pra, oferta e tyre nuk vlerësohet profesionalisht, sepse kompania duhet të argumentojë pse garon me ofertë të ulët.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.