Çmimet/ BSH kërkon ‘paketë nr. 2 solidariteti’

Qeveria duhet të mbështesë me një tjetër paketë familjet me të ardhura të pakta për të kompensuar rritjen drastike të çmimeve.

Ky është rekomandimi i Bankës së Shqipërisë në një kohë që në vend po regjistrohen çmime rekord të produkteve ushqimore.

Banka Qendrore thekson se rritja e inflacionit është një shqetësim serioz dhe në pjesën e mbetur të vitit parashikohet që të forcohet edhe më shumë.aktualisht në vend nuk po zbatohet asnjë subvencion për pensionistët dhe familjet në nevojë pasi paketa e miratuar nga qeveria ku pensionistët përfitonin 3 mijë lekë ka përfunduar në muajin qershor.

“Rritja e inflacionit është padyshim një shqetësim serioz për familjet shqiptare, dhe sidomos për ato me të ardhura të pakta. Një paketë e dytë suporti do të ishte – natyrisht – e dëshirueshme për familjet shqiptare.

Megjithatë, mundësia e aplikimit dhe formati i saj duhen akomoduar brenda kufizimeve të buxhetit, jo thjesht të vitit aktual, por edhe atij të vitit të ardhshëm, për të mos dëmtuar qëndrueshmërinë afatgjatë të financave publike.

I takon qeverisë shqiptare të bëjë analizat dhe të ndërmarrë masat e duhura, në interes të shpërndarjes sa më të drejtë të kostove të kësaj goditjeje dhe të rritjes së qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit”, thotë Banka e Shqipërisë.

Shtrenjtimi i çmimeve, në vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, parashikohet të ndikojë edhe në ecurinë ekonomike në vend.

“Për nga vetë origjina e goditjes, nivelet e larta të inflacionit kanë një ndikim negativ mbi ritmin e rritjes ekonomike. Sikundër e kemi theksuar, rritja e shpejtë e inflacionit gjatë vitit 2022 ka ardhur si pasojë e rritjes drastike të çmimeve të ushqimeve, të produkteve energjitike dhe të lëndëve të para në tregjet botërore gjatë këtij viti.

Shqipëria, si një importues neto i një pjese të madhe të këtyre produkteve, do të detyrohet të paguajë një faturë më të lartë importi, sidomos për ato produkte që nuk kanë zëvendësues në ekonominë tonë. Kjo nënkupton edhe një nivel relativisht më të ulët shpenzimesh për mallrat dhe shërbimet e prodhuara në vend, gjithnjë në raport me situatën e mungesës së goditjes”, vlerëson BSH.

Banka e Shqipërisë parashikon se rritja ekonomike për vitin aktual pritet të jetë rreth intervalit 3.5 – 4%. Më tej, për dy vitet e ardhshme, ekonomia shqiptare pritet të shënojë një rritje rreth nivelit 3%.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.