Bushati: Serbia duhet të ballafaqohet me realitetin, të njohë përgjegjesitë për krimet në Kosovë

Ditmir Bushati, në një postim në rrjetet sociale, duke cituar kancelarin gjerman Brandt, i cili përulej 50 vjet me parë para viktimave të shkaktuara nga Gjermania, në Luftën e Dytë Botërore, thekson nevojën që edhe Serbia duhet të ndjekë të njëjtin shembull; të njohë krimet e kryera në Kosovë.

Postimi i Bushatit

Unë bëra atë që bëjnë njerëzit kur fjalët dështojnë’, do të shpjegonte 50 vite më parë, Kancelari Gjerman ëilly Brandt aktin e tij të rënies në gjunjë para memorialit për viktimat e kryengritjes së getos së Varshavës, të vitit 1943. Një moment simbolik i pranimit dhe ballafaqimit me të vërtetën e Gjermanisë dhe historisë së Europës pas Luftës së Dytë Botërore.
Dy dekada nga çlirimi i Kosovës dhe përfshirja e të gjitha vendeve të rajonit në procesin e integrimit europian, shtrohet pyetja: Kur do të shohim udhëheqësit e Serbisë të bëjnë të njëjtën gjë për krimet e kryera në Kosovë, si parakusht për një proces normalizimi e pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve?
Piruetat me këmbime territoresh, relativizimi dhe amnestimi i përgjegjësisë shtetërore që mban Serbia për krimet e kryera në Kosovë, në funksion të mbijetesës politike, shpresoj të kenë shërbyer si mësim i hidhur për këdo.
Tanimë, nevojitet kurajo dhe përgjegjshmëri për t’u ballafaquar me ketë realitet dhe kurrësesi për t’u përfshirë në revizionimin e historisë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.