Brataj: “Omicron”, i parrezikshëm. Ja si mund ta dallojmë

Ndonëse në mbarë botën përhapja e variantit të ri të Covid, ‘Omicron” ka shkaktuar shqetësime, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj thotë se ky mutacion nuk është më i rrezikshëm se të tjerët, por nuk duhet ta neglizhojmë.

“Sado masa të marrësh është e pamundur ta bllokosh virusin. Themi që ‘Omicron’ është i ri, por është në natyrën e viruseve që të ketë mutacione. ‘Omicron’ është shqetësues dhe ka infektuar. Nuk ka të dhëna të mjaftueshme që të nxjerrim një konkluzion. Nuk ka të shtruar me ‘Omicron’, por duhet thënë që ka një veçori: sa më i transmetueshëm të jetë virusi, aq më pak i rrezikshëm është.

Vetë mjekja sudafrikane që e zbuloi tha që nga 17 pacientë të diagnostikuar, 13 ishin pa simptoma. Ka shenja të lehta me dhimbje fyti, sidomos me rrufë, sekrecione nga hundët, i ngjashëm me virozat e stinës. Ka kohëzgjatje më të shkurtër se Covid-19.

Transmetueshmëria e madhe nuk më shqetëson. Sa më vdekjeprurës të jetë virusi, aq më lehtë izolohet, kështu që Covid-19 do ta kalojë gjithsecili me imunitetin natyral ose atë artificial. Duhet të ndjekim rregullat për higjienën, përdorimin e maskave.

Të infektuarit duhet të vihen në kontroll mjekësor jo para 3-5 ditëve me simptoma dhe të bëjnë analiza gjaku, dedimer, ferritinë dhe PCR dhe duke parë se ka indikatorë të infeksionit mund të shtohet antibiotik, por jo në rastet kur konstatojmë se thjesht kemi temperature 38 gradë. Arma tjetër e mirë është dhe vaksina”, tha Brataj.

Ndërkohë, në lidhje me shtrëngimin e masave ai tha: U ripërsëritën masat ekzistuese dhe u dhanë afatet kohore për administratën publike dhe për stafin mjekësor, policët, mësuesit, të cilët japin shërbim publik. Ndoshta u interpretua gabim, sepse doza e tretë nuk hyn në afatet e 4 janarit. Evropa po merr masa shumë më shtrënguese se sa kemi parë këtu. Gjermania ndodhet në situatën që po dërgon pacientë jashtë vendit.

Për ekspertët, mbrotja më e mirë është vaksina, apel ky që vjen edhe nga gratë shtatzëna, njëra prej të cilave ka bërë dozën e tretë.

Deri tani, varianti “Omicron” është zbuluar në 25 vende të botës, ndërsa vendi ynë ka përgatitur mostrat që do të analizohen në laboratorë në Angli dhe Gjermani për të konfirmuar ose jo praninë e variantit të ri në Shqipëri.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.