Brataj: Afërsisht 50 të shtruar në ditë në spital për Covid-19

Rreth 50 qytetarë shtrohen çdo ditë në spital, për shkak të komplikacioneve nga Covid-19 dhe kryesisht nga mutacioni “Delta”.

Shefi i Urgjencës Kombëtare thotë se janë rritur edhe vizitat në banesa.

“Si thirrje nuk ka ndryshim drejt 127, 24 orët e fundit 1871 thirrje, 421 vizita dhe 109 janë vetëm vizita për Covid dhe 46 kanë përfunduar në banesë.

Qytetarët e rretheve shkojnë drejt spitaleve në rrethe dhe për format e rënda nisen drejt Tiranës. Nëse nga 109, 46 shkojnë në spital kuptohet që nuk janë forma të mesme, por 51-52% janë forma të lehta të mesme që trajtohen në banesë, ose për fatin e keq ka ende persona që nuk shtrohen në spital”, tha Brataj.

I pyetur përse ka viktima edhe mes të vaksinuarve, Brataj thotë se kjo lidhet me sëmundjet bashkëshoqëruese të qytetarëve të prekur me Covid.

“E kemi thënë që vaksina nuk mbron 100% në fazën e parë, kështu që nuk duhet të kalojë mesazhi i gabuar që po bëra vaksinën jam i mbrojtur dhe nuk duhet të mbrohem. Ajo varet shumë edhe nga gjendja shëndetësore e pacientëve në atë moment, e sëmundjeve bashkëshoqëruese edhe shumë faktorë të tjerë, siç janë edhe komplikacionet që vetë sëmundja sjell. Përveç aparatit respirator sjell edhe tromboza”, tha ai.

Brataj thotë se shumë qytetarë po neglizhojnë shenjat e Covid, duke i quajtur rrufë dhe duke mos bërë tampon.

Sipas tij, numri i të infektuarve në vend është më i madh se ai i regjistruar.

“Besoj se mund të jetë më i lartë. Shumë njerëz i interpretojnë këto shenja jo si Covid dhe nuk di si t’i interpretosh shenjat. Prandaj çdo shenjë nëse e shoqëron me test do kishim të dhëna reale të infektimeve në vend. Çfarëdo simptome të kenë janë të lidhura me ‘Deltën’, prandaj duhet një test i shpejtë, një tampon për të mbrojtur familjarët”, tha Brataj.

Tirana vijon të mbajë numrin më të lartë të të infektuarve aktivë, e ndjekur nga Shkodra dhe Durrësi.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.