Bonuse për pensionistët në fundvit? Denaj: Jemi duke llogaritur shumën

Qeveria do të rishikojë për herë të katërt me akt normativ buxhetin e këtij viti. Në një intervistë për televizionin “Klan”, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, thotë se rënia e të ardhurave në buxhet, si pasojë e pandemisë, është më e lartë se parashikimi fillestar duke kapur në total vlerën e gjysmë miliardi euro, ndërsa një pjesë e fondeve që nuk janë përdorur nga institucionet do të shkojnë për të ulur nivelin e defiçitit në 6.9% të prodhimit kombëtar nga 8.4 që parashikohej.

“Rënia e të ardhurave është më e madhe se parashikimi, shkon në 60 miliardë lekë, por fondet që nuk janë përdorur dhe që ne kemi qenë më të kujdesshëm do të shkojnë për uljen e defiçitit.”

Denaj thekson se fondet e rindërtimit, edhe pse janë disbursuar më pak se parashikimi, nuk do të digjen, por do të transferohen vitin e ardhshëm: “Paratë e rindërtimit janë të trashëgueshme”.

Brenda rishpërndarjes së parave në buxhet qeveria është duke llogaritur edhe shumën që do të japë si bonus në fundvit për pensionistët, por këtë herë nuk do të shpërblime me bazë performance për administratën publike.

“Jemi duke llogaritur shumën që do të caktojmë si bonus për pensionistët”, tha ajo, duke shtuar se, vitin e ardhshëm qeveria do të ridizenjojë skemat e garancisë sovrane që nuk janë përthithur totalisht, për t’ua ofruar sërish si ndihmë bizneseve derisa ata të kenë nevojë: “Skema e parë do të ridizenjohet dhe ajo për kapital qarkullues do të shtyhet, po mendojmë edhe për paketa për eksportuesit”.

Deri tani pandemia ka krijuar 24 mijë të papunë të regjistruar, thotë ministrja e Financave, ndërsa shprehet se viti i ardhshëm do të ketë një tremujor të parë të vështirë, por në çdo skenar qeveria do të përshtatë buxhetin me nevojat që do të nxjerrë pandemia.

Denaj siguroi se qeveria po punon për të plotësuar rekomandimet që ka lënë për vendin misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.