Biznesi, optimist për të ardhmen/ Rikthen të larguarit nga puna për shkak të Covid

Pas një periudhe pasigurie për shkak të pandemisë, biznesi ka rritur optimizmin për të ardhmen dhe besimin tek ekonomia, duke rikthyer edhe punonjësit që larguan gjatë karantinës.

Të dhënat e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë flasin për një rritje me 2279 të numrit të të punësuarve.

“Nga analiza e numrit të të punësuarve të deklaruar për muajin prill 2021 rezulton rritje me 2279 të punësuar ose 0.4 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm”, bën të ditur MFE.

Edhe të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore u realizuan në masën 43.4 miliardë lekë, 5 miliardë lekë ose 13.2 % më shumë se 5-mujori 2020, si dhe realizim 103.7 % të planit për 5-mujorin 2021.

Ekonomia tashmë po jep sinjale të qarta rigjallërimi. Si të ardhurat edhe eksportet po  rikthehen me ritme të shpejta trendeve të para pandemisë.

Eksportet “Made in Albania” shënuan rritje me 39 miliardë lekë në 5 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me vitin e pandemisë, ndërsa të ardhurat në buxhet llogariten 191.6 miliardë lekë me një rritje prej 31 miliardë lekë.

Qeveria prezantoi në mesin e vitit që shkoi 3 skema punësimi për rifutjen në tregun e punës të individëve që e humbën punën e tyre për shkak të pandemisë së COVID-19.

Programet e nxitjes së punësimit janë hartuar si pjesë e paketave mbështetëse të qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga pandemia. Qëllimi i tyre është ri-integrimi i shpejtë në tregun e punës i punëkërkuesve.

Në fund të vitit 2019, kishim 693 mijë të punësuar nga 450 mijë të punësuar në fund të vitit 2012 dhe konkretisht një rritje me 55 % të punësimit. Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Nxitjes së Arsimit Profesional ka bërë të mundur ndërmjetësimin për 190 mijë punësime në harkun kohor të 7 viteve.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.