Bashkëpunimi/ Begaj takon ambasadorin kinez

Presidenti i vendit, Bajram Begaj, u takua me ambasadorin e Kinës në Shqipëri, Zhou Ding, me të cilin shkëmbyen mendime për marrëdhëniet kino-shqiptare dhe bashkëpunimin dypalësh në fusha të ndryshme.

Ambasadori Zhou Ding e uroi z. Begaj për zgjedhjen si President i Shqipërisë dhe tha se mes Kinës e Shqipërisë ka miqësi të thellë tradicionale.

Në vitet ’60 e ’70 të shekullit të kaluar, Kina dhe Shqipëria vendosën marrëdhënie të ngushta dypalëshe. Kina i dha Shqipërisë shumë ndihmë për të nxitur zhvillimin ekonomik e shoqëror, kurse Shqipëria dha kontribut të dukshëm për rivendosjen e statusit të Kinës së Re në OKB.

Vitet e fundit, në bazë të nismës “Një brez, një rrugë” dhe të mekanizmit të “Bashkëpunimit midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore e Lindore”, dy vendet kanë forcuar pandërprerë besimin e ndërsjellë politik dhe bashkëpunimin konkret. Si rezultat, marrëdhëniet dypalëshe kanë pasur përparime të reja. Vjet në tetor, me rastin e 50-vjetorit të rikthimit të vendit të ligjshëm të Kinës në OKB, ministri i Jashtëm kinez Wang Yi vizitoi Shqipërinë, duke nxitur më tej marrëdhëniet kino-shqiptare. Kina dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Shqipërinë në OKB dhe në organizata të tjera ndërkombëtare në bazë të nismave të zhvillimit e të sigurisë globale, të paraqitura nga Presidenti kinez Xi Jinping, për të krijuar së bashku bashkësinë e fateve të përbashkëta të njerëzimit.

Nga ana e tij, Presidenti Begaj u shpreh se u ndje i nderuar kur mori telegramin e urimit të Presidentit kinez Xi Jinping në ditën e parë të zgjedhjes si president i Shqipërisë. Miqësia e sinqertë midis dy vendeve e dy popujve është shumë e çmuar.

Marrëdhëniet dypalëshe po zhvillohen mirë dhe bashkëpunimi ekonomiko-tregtar dypalësh ka pasur rezultate frutdhënëse. Shqipëria pret që të dy vendet të vijojnë të zhvillojnë bashkëpunimin konkret në kornizën e mekanizmit të “Bashkëpunimit midis Kinës dhe Vendeve të Evropës Qendrore e Lindore”, për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Tani Shqipëria është anëtare jo e përhershëm e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe dëshiron të forcojë bashkëpunimin me Kinën në fusha të ndryshme për të përballuar së bashku sfidat globale.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.