Balluku në Rinas: Masa për përballimin e fluksit

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, nga ku është pritur fluksi më i madh i tifozëve të dy finalistëve të Conference League, “Roma” dhe “Feyenoord”, të cilat zbresin në stadiumin “Air Albania”, në orën 21:00 të mbrëmjes së sotme.

Nga Aeroporti “Nënë Tereza” ministrja Balluku bëri të ditur se janë marrë të gjitha masat për përballimin e fluksit të lartë të udhëtarëve, duke mos krijuar asnjë vonesë.

Balluku u shpreh se të gjitha strukturat janë në gatishmëri dhe po punojmë me kapacitet të plotë për të menaxhuar sa më mirë situatën.

“Dje ka qenë ditë e ngarkuar, numri i avionëve që përpunojmë shkoi në 146, nga 110 avionë që përpunoheshin në pikun e fluksit përgjatë sezonit veror. Megjithatë gjithçka po shkon në mënyrën e duhur. Kemi pasur një koordinim me UEFA-n sa i përket orarit të charter-ave, ndërsa kemi kërkuar që pasagjerët të jenë pa bagazhe. I gjithë procesi ka ecur si duhet”, u shpreh ministrja

Sipas Ballukut, charter-at janë ndarë sipas tifozerive. Ministrja shpjegoi edhe se një pjesë e tifozëve kanë çekuar që nga pika e nisjes duke lehtësuar më tej procesin.

Balluku bëri të ditur se rreth orës 16:40 pritet avioni i fundit i dedikuar për pasagjerët që vijnë për të ndjekur ndeshjen.

“Kemi gati dyfishin e fluksit normal, ndërsa Aeroporti i Rinasit, specialistët e navigimit ajror dhe policisë kufitare po performojnë më së miri. Vetëm në rreth 48 orë kanë mbërritur mbi 20 mijë tifozë”, deklaroi Balluku.

Ministrja Balluku dhe detaje edhe sa i përket planit që do të zbatohet për të shmangur problematikat e mundshme midis dy tifozerive në rrugën e kthimit, pas përfundimit të ndeshjes.

Sipas saj, policia do të ndalojë ata pranë Universitetit “Epoka” në rrugën e Rinasit dhe do të lejohen të kalojnë vetëm ata pasagjerë, avioni i të cilëve është gati për nisje.

Masa të shtuara janë marrë edhe në portin e Durrësit.

Balluku bëri të ditur se mbrëmjen e djeshme nga ky port është bërë kthimi i rreth 80 tifozëve, të cilët janë kapur me shkelje dhe kanë kryer akte të jashtëligjshme në territorin e Shqipërisë.

Zhvillimin e kësaj ndeshjeje ministrja e konsideroi si të rëndësishëm, pasi luan rol të madh në promovimin e vendit, pasi sipas saj, një pjesë e mirë e tifozëve mund të rikthehen sërish si turistë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.