Balluku në aeroportin e Kukësit: Angazhim maksimal për përfundimin brenda afatit

Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku inspektoi sot punimet për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit, kushoqërohej nga kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici dhe përfaqësuesit e kompanisë koncensionare.
Ridgers Mema, përfaqësues i “Kukës International Airport”, bëri të ditur se punimet kanë avancuar ndjeshëm dhe se synohet që ato të përfundojnë në fund të muajit shkurt, për t’i lënë më pas kohën testimeve të nevojshme për t’u certifikuar si aeroport ndërkombëtar.
Balluku tha se për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit po punojnë njëkohësisht disa kompani, krahas atyre shqiptare edhe kompania holandeze NACO, një ndër kompanitë më të njohura në botë në fushën e aviacionit civil.
Qeveria Shqiptare, tha ajo, ka marrë të gjitha masat për të për t’i ofruar këtij aeroporti të gjithë infrastrukturën e nevojshme.
“Sapo kemi mbyllur procedurën pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar për ndërtimin e rrugës së aeroportit të Kukësit, që lidh qytetin e Kukësit dhe Rrugën e Kombit me aeroportin, duke i krijuar kështu infrastrukturën e duhur një aeroporti ndërkombëtar. Në këtë zonë gjithashtu kemi pasur një investim të OSHEE-së duke sjellë këtu linjën 20 kilovolt dhe duke i dhënë një furnizim me atë që kërkohet për operimet e aeroportit për të mos pasur problematika”, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.
“Kantieri është gjigand, ndoshta është një nga kantieret më të mëdhenj që kemi në këto momente dhe me të vërtetë do të doja t’ju përgëzoja për kohën që ju jeni duke kapur dhe afatin që dukej totalisht i pamundur në fillim, por edhe për të gjithë këtë angazhim maksimal nga ana juaj dhe gjithë kompanive kontraktore”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.