Ballkani Perëndimor dhe integrimi në BE, prioritete të Republikës Çeke

Kryetarja e komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli zhvilloi një takim me ambasadorin e Përhershëm dhe Fuqiplotë të Republikës Çeke në Tiranë, Karel Urban, me kërkesë të këtij të fundit.

Kodheli vlerësoi lidhjet e ngushta dhe miqësore, historike e tradicionale midis dy vendeve, të cilat këtë vit shënojnë 100 vjetorin e vendosjes së marrëdhëniet diplomatike.

Kryetarja e Komisionit për Politikën e Jashtme e uroi Ambasadorin e Republikës çeke për Presidencën e radhës së BE, për periudhën 1 korrik deri 31 dhjetor 2022.

Kodheli shprehu mirënjohjen për përkrahjen e vazhdueshme që Çekia i ka dhënë Shqipërisë përgjatë tërë procesit të integrimit të saj euroatlantik si dhe vlerësimin për qëndrimin e vendosur në favor të perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Ambasadori çek, pasi falënderoi për mikpritjen, u shpreh se gjatë muajve të parë të mandatit të tij kishte patur rastin të njihej me historinë dhe traditat e popullit shqiptar si dhe me bukurinë dhe potencialin e vendit, çka përbën një interes të konsiderueshëm për investitorët çekë.

Më tej ai konfirmoi edhe një herë mbështetjen e plotë të vendit të tij përsa i përket proceseve integruese të Shqipërisë në BE dhe veçanërisht hapjes sa më parë të negociatave.

“Ballkani Perëndimor dhe integrimi i tij evropian është ndër prioritetet e Republikës çeke do të vazhdojë të mbetet i tille edhe gjatë periudhës së presidencës çeke të BE”, u shpreh ambasadori Urban.

Gjatë takimit bashkëbiseduesit folën mbi çështje të bashkëpunimit ndërparlamentar dypalësh dhe në kuadrin e Parlamentit evropian.

Gjithashtu bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi situatën politike në Evropë e veçanërisht mbi pushtimin e Ukrainës nga Rusia dhe rrezikun e pasojat e politikës agresive të Rusisë në Evropë. 

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.