Avokatët penalistë shqiptarë mbështesin “Ballkanin e Hapur”

Në Tiranë u zhvillua sot konferenca e 8-të ndërkombëtare “Për drejtësinë penale”, ku avokatët penalistë shqiptarë mbështetën nismën e “Ballkanit të Hapur”.

Në konferencë ishte i pranishëm kryetari i Aleancës “Kosova e re”, Behgjet Pacolli, kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj, avokatë, etj.

Në fjalën e tij, kreu i Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Saimir Vishaj tha se “pse jo dhe ne avokatët, duhet të jemi pjesë e ‘Open Balkan’, që askush të mos ketë barriera dhe kufizime. Që të vijë profesori i nderuar dhe kryetari i dhomës së avokatisë së Maqedonisë së Veriut dhe të mbrojë çështjen penale në Tiranë pa pasur asnjë barrierë. Të vijë avokati i Prizrenit në Kukës, ku e ka vetëm 10 km larg”.

Ndërsa kryetari i Aleancës “Kosova e re”, Behgjet Pacolli u shpreh se “edhe pse qeveria ime në Kosovë nuk e pranon dhe e refuzon këtë nismë, edhe pse ende edhe Mali i Zi nuk e ka kuptuar drejt dhe mungon në këtë iniciativë e drejtë, unë them se është iniciativë e drejtë. Neve na nevojitet”.

Gjatë punimeve të konferencës avokatët kërkuan disa ndryshime ligjore në raport me të drejtat e të dyshuarve për shkelje të ligjit. Po ashtu ata propozuan që vakancat në institucionet e drejtësisë përfshi edhe gjyqësorin të plotësohen edhe me përfshirjen e tyre.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.