Arrestohen dy persona, falsifikuan aktet noteriale për të përfituar tokë

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pasi akuzohen se kanë falsifikuar aktet noteriale si dhe vulën e një notereje të njohur për të përfituar dy sipërfaqe toke në dy zona të ndryshme të kryeqytetit. Në pranga përfunduan Ruhi Vasili, 54 vjeç dhe Lavdrim Sulja, 42 vjeç, të dy banues në Kashar. Ndërsa një gjendje të lirë është proceduar edhe një 56 vjeçar.

Dokumentet e falsifikuara këta persona i kishin dorëzuar pranë Hipotekës, në mënyrë që në emër të tyre të kalonte edhe sipërfaqja prej 6 mijë metra katrorë tokë e ndodhur në Yzberisht dhe Kashar. Në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, ende të paidentifikuara, ata kanë falsifikuar vulën e një notereje të njohur, e cila sapo është njoftuar për këtë veprim ka bërë kallëzim në polici. Hetimet zbuluan se dy personat e arrestuar, si dhe i hetuari në gjendje të lirë i kishin falsifikuar dokumentet me argumentin se pronarët e ligjshëm, tokën po ua dhuronte atyre.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale kontratat noteriale të dyshuara të falsifikuara, të cilat ishin dorëzuar në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës. Të arrestuarit akuzohen për tre vepra penale, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.