Aksidenti me 5 viktima, ekspertiza zbulon pse përplasja ishte fatale

Vetëm pak ditë nga aksidenti tragjik në Qafën e Muzinës, sot ekspertiza ka nxjerrë në dritë detaje të reja që lidhen me shkaqet për këtë aksident fatal ku humbën jetën 5 persona.

Sipas ekspertizës, përplasja tangenciale ka qenë shkak për devijimin nga rruga të furgonit që më pas përfundoi në greminë.

Ekspertët, në përfundimet e tyre hetimore, ndër të tjera theksojnë që, nëse përplasja do të kishte qenë ballore me shumë mundësi jetët e personave të përfshirë në aksident do të shpëtonin dhe do të kishim vetëm të plagosur.

Por duke qenë se makina “Land Rover” dhe furgoni janë përplasur në cepat tangenciale ka bërë që furgoni të devijojë dhe të përfundojë në greminë, ku si pasojë humbën jetën 5 persona, drejtuesi i furgonit dhe 4 pasagjerë.

Sakaq, në vendin e ngjarjes nuk janë parë gjurmë frenimi çka vështirëson punën e ekspertëve për të arritur në konkluzione se sa shpejtë ka qenë makina “Land Rover”.

Mësohet se rruga ka qenë e lagur dhe kjo ndikuar në përplasjen e dy mjeteve.

Raportohet se makina “Land Rover” që drejtohej nga Rexhina Çelhaka u gjet e zhvendosur dy metra nga pika ku bëri kontaktin e përplasjes me furgonin.

Kjo e fundit ka reaguar duke thënë se nuk ka qenë me shpejtësi dhe se furgoni me pasagjerë drejtuar nga Bardhi Proda, erdhi me një shpejtësi aq sa nuk kishte pasur mundësi të reagonte.

E reja mësohet se kishte marrë makinën “Land Rover” tek një i afërm i saj dhe po udhëtonte drejt jugut së bashku me dy shoqet e saj italiane.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.