Rritje pagash?/ Çuçi flet edhe për gjobat dhe afatin e Ramës

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi njoftoi sot miratimin e vendimit për projektin e ri në Policinë e Shtetit, që lidhet me Policinë Rrugore.

Ky vendim, sipas tij, ka fokus goditjen e shkelësve të ligjit dhe shmangien e ndërhyrjeve me futjen e teknologjisë.

Me këtë projekt, – tha Çuçi – duke futur teknologjinë do të marrim rreth 110 ‘smartphonë’ që do të jenë në duart e policisë në qarkullim. ‘Smartfonët’ janë çift me printin përkatës. Kur evidentohet shkelja, emetohet gjoba duke ia dhënë në prezencë.

Ai kishte një lajm të mirë edhe për rritjen e pagave për punonjësit e policisë: “Ne gjithmonë e kemi pasur në vëmendje trajtimin sa më të mirë të punonjësve të policisë nga pikëpamja financiare. Policia e Shtetit ka qenë sektori që ka përfituar më së shumti nga rritja e pagave. Megjithatë, ne kemi një projekt që do të krijojë mundësi për policinë për të marrë të ardhura nga shërbimet, për të shpërblyer vetë trupën e saj. Po i shikojmë këto mekanizma pa e cenuar buxhetin e shtetit”.

E ndërsa afati 100-ditor që kryeministri Edi Rama la për reformimin e Policisë së Shtetit mbaroi, ministri shpjegoi se drejtori i ri Gledis Nano do të ketë një tur në të gjithë vendin për të parë situatën dhe më pas do të bëjë raportin mbi gjendjen: “Drejtori i ri e ka filluar punën edhe me këtë analizë. Ai do të jetë në të gjithë Shqipërinë dhe pa diskutim ky raport do të shërbejë edhe si një dokument për vlerësimin e gjithkujt për të vazhduar”.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.