Rekuiem/ 13 vjet pa Tanin, njeriun e ëndrrave të jashtëzakonshme

Çdo 23 maj nuk kujtohet humbja, por jeta e Tanit të Topit, njeriut të ëndrrave të jashtëzakonshme, që e nisi rrugëtimin mediatik me krijimin e “Top Albania Radios”, në vitin 1998.

Më pas, revolucioni mediatik dhe jo vetëm, erdhi me lindjen e televizionit “Top Channel”, një platformë e dedikuar për të gjithë shqiptarët, kudo ku ishin, një platformë që i bashkoi shqipfolësit kudo nëpër botë.

“Digitalb” dhe Gazeta “Shqip” do të zgjeronin edhe më tej perandorinë mediatike të “Top Media”-s.

Thonë se ëndrrat shpesh janë të parealizueshme, por për Dritan Hoxhën nuk pati të tilla.

Ai kërkoi ato më të mëdhatë, më të jashtëzakonshmet, në dukje më të largëtat, që nuk kishin lidhje vetëm me jetën, pasionin apo dëshirat e tij, por me ato të të gjithë shqiptarëve.

Tani nuk ndalej, sepse për të bota shqiptare kishte një rëndësi të veçantë, një rëndësi që e mori hap pas hapi “Top Channel”, ekrani i të gjithë shqiptarëve.

“Top Channel” vrapoi me Tanin, me botën dhe pasionin e tij, me dëshirën për t’u rritur e rritur e për të ecur së bashku pa u ndalur.

Dritan Hoxha ishte i tillë, i pandalshëm, e me një vizion që pakkush e kishte, e që e pasqyroi tërësisht në çdo gjurmë të tijën.

Gjithçka krijoi Tani vijon të ndjekë ëndrrën e tij, ëndrrën e një gjiganti, të një njeriu që tregoi se gjithçka është e mundur nëse e do vërtet dhe me zemër.

Ndaj edhe sot, në 13-vjetorin e humbjes së tij, vazhdon të vrapojë, të rritet, të sfidojë e kërkojë më të mirën, sepse ashtu siç lindi dikur me pasionin, talentin e cilësinë e një njeriu, ashtu qëndron edhe sot në shtëpinë e çdo shqiptari.

Dritani apo Tani, siç e thërrisnin të gjithë është këtu, në frymën e papërsëritshme të një njeriu që sfidoi ëndrrat.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.