Një mijë raste në 24 orë, Fico: Mund të ketë raste mutante të virusit

Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Albana Fico, ka deklaruar se autoritetet shëndetësore e kishin paralajmëruar rritjen e rasteve me Covid-19 pas festave të fundvitit.

“E kishim paralajmëruar këtë. Në prag të fundvitit, kur folëm për respektimin e masave në atë periudhë, thamë që do të rriten numrat nëse nuk respektohen masat gjatë festave. Sa më shumë raste pozitive të kemi, aq më shumë të shtruar në spital dhe aq më shumë viktima do të kemi”, tha ajo.

Por, sipas saj, “fajin nuk e kanë qytetarët”.

“Nuk mund të ketë grumbullime nëpër resorte dhe ne të kthejmë kokën nga ana tjetër. Është kollaj të marrësh masa drastike për të mbyllur çdo gjë. Gjendja psiko-emocionale është marrë në konsideratë për të mos bërë mbyllje drastike. Edhe lejimi i aktiviteteve ekonomike ishte dhe mbetet diçka që duhet të vijojë. Por, leja e dhënë u thye. Unë besoj se është situatë delikate, sidomos kur shikohen numrat e rritur nëpër spitale. Por kemi lënë në fuqi disa masa dhe po ndjekim me vëmendje situatën dhe rastet që duken të panatyrshme, që mund të jenë viruse mutante. Duhet të bëjmë një sforco, duke nisur nga vetja, e më pas nga autoritetet shëndetësore dhe bizneset që të mos mbyllemi”, shtoi Fico.

Share With:
No Comments

Sorry, the comment form is closed at this time.